
Akademi Përkujtimore në nderim të Profesorit Demaj

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ka organizuar Akademi Përkujtimore për nder të 70-të vjetorit të lindjes dhe 30-të vjetorit të vdekjes së atdhetarit, Prof.Isa Demaj.
I pranishëm në Akademinë Përkujtimore ishte Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri me bashkëpuntor. “Sot, po shënojmë 70 vjetorin e lindjes së Profesorit Isa Demaj, intelektualit e veprimtarit të njohur, bashkëvendasit tonë dhe për këtë jemi të nderuar.Peja është tepër krenare të kujtojë përherë figura si Profesor Isa Demaj, mik i hershëm e bashkëveprimtar i Jusuf Gërvallës dhe i Presidentit Rugova.Veprimtaria atdhetare si ajo e Isa Demajt na bëjnë krenar dhe na forcojnë në rrugën tonë për ndërtimin e Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike”,- tha Kryetari Muhaxheri.
I pranishëm në Akademi ishte edhe Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, z.Hydajet Hyseni, i cili e vlerësoi lartë jetën dhe veprën e Profesorit Demaj.
Ministri i Arsimit, z.Arsim Bajrami në fjalën e tij evokoi kujtime si nxënës dhe profesor i tij.
Për jetën dhe veprimtarinë e Profesorit Isa Demaj ka folur Meriman Braha.
Po ashtu u shpërnda libri “Jeta dhe veprimtaria atdhetare e Profesorit Isa Demaj”, përgatitur nga Zymer Neziri.



