
VUKLI – ATY KU FLET HISTORIA E BUZËQESH TRADITA..!

Lulash Brigja
Sot, me disa miq të mirë – për qejf edhe për festë – kena dalë në Vukël të Kelmendit.
Aty ku bukura e natyrës dhe miresia njerzore të joshin ,aty ku lumi është aq i kthjelltë sa me kujtue se buron prej qiellit . Aty ku zani i historisë ushton ndër shkrepa, e tradita të thotë: Mirëse keni ardhë !
Jena në zemër të Alpeve, aty ku çdo oxhak naten puthet me yjet , e çdo mriz ka emna njerzish e sheja vetimësh.
Aty ku çdo brez asht derdh gjak me mbrojtë lirinë, e tash pothuejse tan’ kanë dalë e kanë, lshue – por jo vetëm këtu, kët hall e kanë tana fiset e Malësisë dhe të Dukagjinit.
Por kullat prapë janë n’kamë, e kado të sjedhesh, t’duket se nigjon një za, që të thërret:
Mirëse ju ka pru Zoti, shpija jonë asht e Zotit e e mikut
Veçanërisht sot që asht festa e Zojës së Vuklit bujaria duket kudo .
Mes pjalmit të luleve kah kena kalue , degjohej cicerima e zogjve por kam pa edhe noj ferlig tuj u pjek. – Hajt bane Zot mire thash , e nuk fola !
Më duket se tana rrugët të çojn te Kisha e Vuklit shpateve të luginës ushton kënge
” FESTË TRADITË DHE GËZIMI,,
E kane pagzue këtë aktivitet organizatorët

Po kush jan ata ?
Shoqeria kulturore Artistike ” Jehona e Kelmendit ,, drejtuar nga një embleme e festave folklorike . Ambasadore e Paqës dhe mirësisë – znj. Dila Vacaj . Ç’ka do t’them unë ajo meriton më tepër për punën e saj gjysëm shekullore në promovimin e traditave , folklorit dhe etnografise Malësore.

Njashtu tu ba foto e tu shijue çdo gja t’bukur që sheh syni i mikut dhe fotografit jena ngjit tëk Logu i kishës
” Fal Zot sy me pa that populli ,, gati mos me kuptue ! a kan zbrit zanat prej malit apo kan dal vajzat e nuset n’festë ?
Kelmendasit e Rugovës jan kthye për në trojet e t’parve me ato veshjet e tyre tradicionale.

Prekse ishte kur i ran dy pika lot ne sy nje burri kur e pyeta , se si po ndihesh ?
– Prej ktu kan ik t’parët tanë – Tha. – Tata m’ka kallzue shumë histori me emna , deri vonë kan shkue e ardhe Ktu i kam do kushri , por t’duket kan ik në Amerikë.!
Mu kujtue se diku kam lexue për një Gjek Stanishta me dy mije dele si pati zan ven ne Stankaj t’Rugovës por asht histori e gjatë ajo !
Vajzat Malësore të veshura me xhubleten tradicionale ja nisën valles e pastaj me rrallë miku im rapsodi Luigj Gjerkaj me lahutën kreshnike , Donika Vucinaj e Besnik Pepushaj ..
Ansambli Folklorik Autokton Rugova , drejtuar nga Vesel Nika pershendeti me disa numra , si gjithmonë ata janë të magjishem
Festa e fshatit nuk asht thjesht një ceremoni fetare, por një kuvend i shpirtit me traditën, me rrënjën, me Zotin. Njerëzit vijnë prej gjithkah: kush prej Shkodre, kush prej diasporës, ka shumë prej Gucisë, Vuthajve e Trieshit – por edhe do miq të mi prej Pejës i pava sot.
Kam ecë shpesh ndër këto bjeshkë, për qejf e me shoqni. Kam provue bukën e nxehtë t’staneve, djathë të njomë e kos të kulluem me nda me thikë.
Kena nej mramjeve vonë, nën dritën e hanës, e m’kan tregue histori e legjenda .
Me nis me i shkrue, se di kur ndali por sot gjithçka duket ndryshe . Na ka thirrë një mik, e na ka pru maraku me nëj me burra të mirë e me pa gjana të bukura.
Shumë herë ju kam thanë shokëve: , delni pak prej asfaltit, e qaty te Ura e Tamarës merrni djathtas – se besa, në Vukël e n’Nikç, ke me ja kalue boll mirë.
Në fakt shumë toponime jan sllave në këto anë por ska asnje krahine në Trojet Shqiptare që ka sakrifikue ma shumë për liri.
Simjet vera ka ardhë kadalë, ka ra shi shpesh, por njomza ka hyp n’bjeshkë.
E Vuklit ka nisë me i dalë vera qysh se nisi me u shtrue kjo rrugë – kan punue boll, fjalët e mira janë, por asfalt nuk pava kun.
Me kta miqtë e mi jena ngjit njashtu, tu ba muhabet përbri Cemit të Vuklit, e sa kena dalë afër shpijës së mikut tonë Ndue Pepushaj, mu ka duk se gjithçka ndryshoi.
Atmosfera e festës dukej kudo , kaluam një drek te bukur me disa burra te nderuar
Kullat kreshnike që mbajnë mbi supe shumë festa e histori kishin hapë pixheret tuj kqyrë – t’heshtuna e krenare – Shyqyr erdhi dikush, mu duk se thojshin me veti.
Ato s’të flasin, por të bajnë me kuptue gjithçka: si jetohej me nder, si luftohej për liri, si lutej festa me miq e me zemër të bardhë.
Në këtë vend, por edhe kudo në male, gjithçka flitet e kuptohet pa shumë fjalë – këtu flet lumi dhe shtegu i oborrit. N’festat malsore, n’sofra knon bujaria, vallen e përcjedhin urimet e humor të ban ibriku
Në këto male të Zotit të shpis i qesh shpirti kur vjen miku , e ty të vjen me than me veti – O Zot sa t’sinqertë që jan !
Në këtë festë, Zoja e Vuklit jo vetëm të uron, por edhe të mëson: me qëndru, me mbajtë gjallë kujtimet e traditat, me i nderu ato gjana që na lanë të parët si trashëgim e testament.
Sot kudo si po kaloj, e ndiej se shumë njerëz s’kanë ardhë veç për festë. Kanë ardhë për me u lidh me rrënjën, me frymën e tokës e t’malit, me dashninë për vendin, me kujtimet e vjetra, por edhe për ato fjalë të mira që i kan ndie prej kohësh.
Vukli nuk asht veç një fshat – asht një urë që lidh të kaluemen me të tashmen, një zë që thërret në emër të trashëgimisë, dhe një bekim që shpërndahet në heshtje përmes maleve – aty ku koha ka ngec qysh kur prej ktu kanë ikë shumica e njerëzve.
Ne fakt kur dal një ditë n’mal e n’bjeshkë frymzohem me shkrue tan javën , e tash due me i than vetes – bjeri ma shkurt se na lodhe !
* Se pari do të uroj tan banorët e kësaj famullie kudo që jetojn
Me zemër të mire Festa e Zojës të Vuklit . Paqë bekim dhe mirësi për familjet tuaja . Sado larg dhe lart të shkoni mos harroni se rrënjët i keni ketu . Kjo ju bën krenar dhe borxhli.
* Shumë respekt për organizatoret dhe Shoqaten Kulturore Artistike ” Jehona e Kelmendit ,, për aktivitet dhe atmosferen , le te jetë nje fillim i mbarë për ta vazhduar këtë tradite.
* Kam njohur dhe vlersuar familjen Pepushaj si besimtar , intelektual dhe bujar por mikpritjen e sotme do ta kujtojm gjate si një simbol i vlerave më të mira Malësore
Me zemër të mire Festa miku ynë z Ndue Pepushaj .
* Aty takova shumë miq dhe koleg sepse arti dhe dhe festa janë dritare miqesie Faleminderit miku im nga Rozhaja z Ali Daci nje atdhetar me vlera . Urime Studio Malësia Channel për punën tuaj
Mirënjohje për Ridvani , Rexhepi ,Shyqi , Lazri e Zamiri kaluam shumë bukur.
* Ne ishim një ditë por festa mikpritja dhe bukuria në Alpet Shqipetare nuk shterret asnjëherë.
Shkoni në Vukël është vërtet bukur , ngjituni në bjeshke se është edhe me bukur
Me respekt Lulash Brigja
– Vukël 24 Maj 2025
Ali Daci
Në ditën e Zojës së Vuklit në Vukël, ku bashkohen degët e Dacajve, Nikçit, Muriqit. Përformancë e shkëlqyer e AFA “ Rugova” dhe ShK” Jehona e Kelmendit”, këngëtarja Donika Vuçinaj, Besnik Pepushaj e pasuruan këtë aktivitet. Të nderuar e të respektuar mes vëllëzerve e motrave. Është për t’u theksuar se Rugova sot shkeli për herë të par në trollin e të parëve! Rrnoftë Kelmendi dhe mbarë Malësia



