Formë edukimi shumëfunksional, karakteristik, kuptimplotë dhe i organizuar

Formë edukimi shumëfunksional, karakteristik, kuptimplotë dhe i organizuar

Lojërat Tradicionale të Rugovës  “Rugova 2023”

(Ditë më parë, në prani të qindra pjesëmarrësve janë mbajtur LTR “Rugova 2023”, një formë e edukimit sportiv të të rinjëve përmes aktiviteteve, lojërave konkurruese dhe shkathtësive fizike që demonstrojnë talent, forcë, urtësi, maturi, qëndrim, elokuencë dhe rend logjik)  


Ishte Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova” i cili me paraqitjet autoktone të cilat burojnë nga thellësia e shpirtit dhe thellësia e shekujve, ai i cili paralajmëroi një nismë të mbarë të LRT “Rugova 2023”.  


Fillimisht ngritja e flamurit tradicional të Lojërave Tradicionale të Rugovës “ Rugova 2023” u ngrit nga deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës prof. Dr. Shesedin Dreshaj dhe nga sportisti i mirënjohur Flamur Rexhaj, i cili kohë më parë në garat evropiane në Bodybilding u radhit në vendin e katërt, njëherit do të jetë pjesëmarrësi i parë shqiptar në garat botërore.


Më pas moderatorja Yllka S. Zekaj përshëndeti të  pranishmit:


Pjesëmarrës të nderuar!


Zonja dhe zotërinj!


Vëllezër mërgimtarë!


Zyrtarë dhe qeveritarë!


Bashkëkombas të të gjitha trojeve tona etnike,


Mirë se keni ardhur në manifestimin autentik


LOJËRAT TRADICIONALE TË RUGOVËS  “RUGOVA 2023”


Jemi sot bashkë, në këtë amfiteatër natyror, në Bogë të Rugovës në këtë pjesë të bukur të Alpeve Shqiptare, në Bogët e shumë burrave në zë!


Sot, bashkërisht do të përjetojmë Traditën rugovase përmes Lojërave të shkathtësive fizike, të këtij thesari të çmuar të kulturës sonë në pëgjithësi, e të asaj rugovase në veçanti, të organizuara nga Komuna e Pejës – si dhe Bashkësitë Territoriale të Rugovës I dhe II, Banka Private e Biznesit, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, në bashkëpunim MKRS, aktivitet ky i cili organizohet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri.


Në vend të hyrjes:


Është e rëndësishme që të ushqehemi me traditën tonë shekullore të ruajtur besnikërisht nga brezi brez dhe ta përcjellim këtë pasuri shpirtërore, të ruajtur me krenari, tek gjeneratat e reja, në mënyrë që edhe me kalimin e kohës të mos ndryshojë.


Gjithashtu, brezave që vijnë, u japim mundësinë që të përçojmë më mirë traditat që kanë vazhduar për shekuj.


Rugova këtë datë specifike, këtë traditë të pasur, këtë bukuri të rrallë dhe këto perla tradicionale i  ruajti dhe i ruan me krenari.


Kultura, zakonet, normat dhe lojërat e një populli konsiderohen traditë, prandaj ne sot do të transmetojmë të njëjtat.

Lojërat Tradicicionale lindën nga nevoja për tu dëfryer, për të treguar shkathtësitë fizike, talentin, forcën, mençurinë, mendjemprehtësinë dhe  për tu takuar dhe për tu parë të rinjët mes vete, pikërisht në të dielën e parë të gushtit, kurse me kalimin e kohës u bënë pjesë përbërëse e jetës në Rugovë, prandaj këto aktivitete u bënë mësim për të rinjët, si një formë edukimi shumëfunksional, karakteristik, kuptimplotë dhe i organizuar …


Në këto lojëra morën pjesë shumë figura e personalitete të shquara anekënd  etnisë sonë: deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës  prof. dr. Shemsedin Dreshaj, prof. dr. Zymer Neziri, mërgimtarët Qelë Qelaj, Agim Mujaj dhe Feriz Muriqi (kryetar i Shoqatës “Rugova” nga ShBA -të, veprimtarët Ramë Abazaj dhe Osman Lajqi nga Austria, Bekë Muçkurtaj nga Suedia, Mustafë Lulaj nga Gjermania, Kadri Sheta nga Shqipëria, Agim Cukaj, Azem Gorqaj, prof. Bajram Shala, prof. Isa Hysenaj, prof., Halit Gashi, Ramiz Lajqi e shumë e shumë personalitete të tjera.  


Falënderojmë po ashtu: KFORIN italian, policinë e Kosovës me rreshter Demë Dembogaj, shërbimin e emergjencës së Pejës, mediet, ATD TV me Xhelal Tetajn,  RTV Fontana me Zeqir Mehmetajn, pronarin e hapësirave ku u mbajën LRT Xhemë (Arif) Demaj,  autosallonin DB auto, ujë Rugove etj, etj…  
Moderatorja Yllka S. Zekaj, në emër të Këshillit Organizativ i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe Ju dëshiroi mirëseardhje dhe përjetime çastesh të këndshme.


Ishte fjala e kryetarit të Kuvendit Komunal të Pejës z. Rexhep Kurbogaj  ajo e cila shënoi edhe hapjen zyrtare dhe solemne të këtyre garave, i cili ndër të tjera tha: Po përpiqemi që të përcjellim tek brezat e ardhshëm gjurmët e traditës  së lashtë shumëshekullore. Këto lojëra në vete përmbajnë një trashëgimi kulturore të madhe dhe të rëndësishme, janë pjesë e trashëgimisë historike, janë një mundësi e mirë për të përcjellë trashëgiminë tonë kulturore brez pas brezi. Përmes këtyre lojërave po afrojmë konceptet e kujtesës, lojës dhe kulturës, prandaj ne jemi krenarë dhe të lumtur që mbështesim këtë iniciativë që transmeton trashëgiminë tonë kulturore për të gjithë ne dhe brezat e ardhshëm, përfundoi Kurbogaj, njëkohësisht duke uruar rrjedhë të mbarë dhe suksese për garuesit.


Një prezantim, kronologji kohe, u bë nga Flamur Rexhbogaj, kryetar i  BT 2, ku mes të tjerash potencoi rëndësinë e kësaj trashëgimie historike rugovase. Këto lojëra janë një projekt që paraqet një sërë lojërash kulturore, sportive dhe edukative, që kanë të bëjnë me promovimin e vlerave tradicionale me theks të veçantë në rikujtimin e disa lojërave sportive të vjetra, me ç’rast gjeneratat e reja të mësojnë se nuk nevojiten kushte të veçanta për të zhvilluar dashurinë për sportin përfundoi Rexhbogaj. Po ashtu, përgëzoi garuesit duke u dëshiruar suksese në disiplinat e përzgjedhura dhe pjesëmarrësve argëtim të këndshëm.


Natyrisht që u festua dhe u kujtua tradita e pasur shpirtërore e kulturore, qoftë përmes lojërave autentike të shkathtësive, qoftë përmes këngës dhe valles folklorike, pse jo edhe të veshjeve tona kombëtare.


As këtë vit nuk mungoi zëri i bilbilave të folklorit tonë Rifat Berisha e Mehdi Berisha, të cilët u mirëpritën me duartrokitje të gjata, po ashtu edhe rapsodi Emrush Januzaj u mirëprit nga publiku, kurse këngëtari Ali Shabanaj më këngën e tij bëri jehonë.

Pas përfundimit të garave, në një konkurrencë të fortë, u arritën këto rezultate:


⦁ Rrëzimi i duarve
Vendi i parë: Canë Berisha
Vendi i dytë: Valon Mavraj
Vendi i tretë: Uran Rugova
Vendi i tretë: Fidan Lajqi


⦁ Mundje
Vendi i parë: Artan Berisha
Vendi i dytë: Fidan Lajqi
Vendi i tretë: Edmond Zekaj
Vendi i tretë:  Altin Lajqi


⦁ Hudhja e llastarit
Vendi i parë: Valdet Cukaj
Vendi i dytë: Agim Nikqi
Vendi i tretë: Liridon Cukaj


⦁ Ngjitja në shilor
Vendi i parë: Selim Nikqi
Vendi i dytë: Albert Neziri
Vendi i tretë: Pajtim Nikqi


⦁ Hudhja e  Gurapeshi
Vendi i parë: Valdet Cukaj
Vendi i dytë: Agim Nikqi
Vendi i tretë: Ilir Lajqi


⦁ Tërheqja e litarit (femrat)
Vendi i parë: Haxhajt I
Vendi i dytë: Haxhajt II
Vendi i tretë: Lajqi – Shtupeqi i Vogël


⦁ Tërheqja e litarit (meshkujt)
Vendi i parë: Haxhajt
Vendi i dytë: Batusha
Vendi i tretë: Sporti shkollor – Istog
Vendi i tretë: Drelajt


⦁ Kërcimi Pup
Vendi i parë: Edmond Kelmendi
Vendi i dytë: Granit Kelmendi
Vendi i tretë: Edison Dreshaj


Në fund nga Këshilli Organizativ: Vesel Nikqi, Nazmi Iberdemaj, Islam Husaj, Shaban Lulaj, Haxhi Ibërdemaj, Flamur Rexhaj, Valon Qelaj, Dan Muçkurtaj, Kapllan Nikqi, Qazim Kelmendi, Jeton Kelmendi dhe Valdet Hysenaj ndanë mirënjohje, diploma, kupa dhe medalje për garuesit dhe kontribuuesit, duke mos harruar dhe duke rikujtuar kontributin e anëtarëve meritor të organizimit në rrjedhë motesh, që nga nisma e këtyre lojërave të cilët nuk janë në mesin tonë  si: Smajl Hajdaraj, Selman Lajqi, Imer Neziri, Nazmi Lukaj, Adem Rugova e dhjetëra të tjerë si këta, të cilët me kontributin e tyre madhor i madhështuan dhe u dhanë jetë këtyre lojërave.  


Mund të përfundojmë se qëllimi i organizimit të këtyre lojërave është shoqërimi rekreativ, forcimi i marrëdhënieve dhe një shpirt i shëndetshëm në një trup të shëndoshë, por sigurisht që ka gjithmonë një shkallë të shëndetshme konkurrence që pjesëmarrësve u jep kënaqësi dhe motivim të veçantë.
Paraqitja folklorike e AFA Rugova, në amfiteatrin natyror në Bogë, hyri në skenën e etnologjisë dhe në të njëjtën kohë tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve që njëherësh është një fenomen i njohur sociokulturor.


Këto lojëra tradicionale konkurruese janë karakteristikë e rajonit të Rugovës. Vlera e tyre sociokulturore është në funksion të procesit të socializimit. Lojërat janë një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për zonën e Rugovës, por njëherësh edhe për etninë tonë në përgjithësi, sepse karakterizohen nga faktorë të ngjashëm socialë, sportivë dhe kulturorë.

sqSQ